Kosova

Çmimet e produkteve bazë në Kosovë rriten ndjeshëm, inflacioni arrin 4.5% në gusht

Çmimet e produkteve bazë në Kosovë kanë shënuar rritje të ndjeshme gjatë gushtit të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Një pako vezë, që një vit më parë kushtonte 2.50 euro, këtë gusht u shit për 3.55 euro, apo 42% më shtrenjtë. Rritje prej 17% është shënuar edhe te vaji i lulediellit, i cili nga 1.44 euro për shishen 1-litërshe në gusht 2024, këtë vit shitet 1.69 euro.

Kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, tha se rritja e çmimeve ka ndodhur më shpejt se parashikimet. “Ne kemi parashikuar që mbi 4% do të ishte në tetor, kurse tashmë në gusht kemi tejkaluar 4.51%. Rritja e faturave të energjisë elektrike dhe importet e mallrave po kontribuojnë në inflacion, i cili do të vazhdojë të rritet gjatë muajve të dimrit”, tha Rafuna.

Ekspertët paralajmërojnë se rritja e çmimit të energjisë do të ndikojë edhe te shërbimet komunale, si uji dhe mbeturinat, duke rënduar më tej koston e jetesës. Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni në janar të këtij viti ishte 1.5%, duke arritur në 4.5% në gusht. Një vit më parë, inflacioni për të njëjtën periudhë ishte 1.4%.

Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve, Kushtrim Ajvazi, njoftoi se kostoja e shportës bazë të konsumit është rritur për 47% krahasuar me gushtin e 2021-tës. “Për të mbajtur të njëjtin nivel konsumi, një familje duhet të paguajë nga 199.44 euro në 293.77 euro. Rritjet më të mëdha janë te mielli (+62%), buka e bardhë (+56%), mishi i pulës (+66%), mishi i gjedhit pa eshtra (+63%), kafeja e bluar (+67%) dhe sheqeri (+64%)”, tha Ajvazi.

Sipas një ankete të Institutit Ndërkombëtar Republikan, 45% e qytetarëve e shohin rritjen e çmimeve si problemin kryesor, ndërsa papunësia renditet e dyta me 19%. Ekspertët theksojnë se varësia nga importet bën që çdo rritje e çmimeve ndërkombëtare të reflektohet menjëherë në tregun vendor.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, gjatë 9 muajve të parë të këtij viti u importuan mallra në vlerë 5.066 miliardë euro, rreth gjysmë miliard më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, eksportet e produkteve kosovare kanë rënë në 630 milionë euro, nga 658 milionë euro që ishin në periudhën janar-shtator 2024.

Kjo situatë tregon një presion të madh mbi fuqinë blerëse të qytetarëve dhe rritjen e kostos së jetesës në vend./Koha.net

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button