Kosova
Kryesore

Kosova thellon varësinë nga importet, deficiti tregtar kalon 4.4 miliardë euro

Kosova po vazhdon të thellojë varësinë nga mallrat e importuara, duke e çuar deficitin tregtar në një nivel shqetësues. Vetëm në periudhën janar–shtator 2025, vendi ka importuar mallra me vlerë mbi 5 miliardë e 66 milionë euro, që është rreth gjysmë miliardi euro më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, sasia e mallrave të importuara ka arritur mbi 4.2 miliardë kilogramë, nga 3.9 miliardë kg në vitin 2024, 3.7 miliardë kg në vitin 2023 dhe 3.5 miliardë kg në vitin 2022. Ndërkaq, pavarësisht rritjes së sasisë, vlera e mallrave mbetet dukshëm më e lartë, për shkak të çmimeve dhe inflacionit të importuar nga shtetet partnere.

Në anën tjetër, eksportet kanë shënuar rënie, duke arritur vlerën e 630 milionë eurove në nëntëmujorin e këtij viti, krahasuar me 658 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo ka bërë që deficiti tregtar i Kosovës të arrijë mbi 4.4 miliardë euro, nga rreth 3.9 miliardë sa ishte vitin e kaluar.

Pesë vendet kryesore nga të cilat Kosova importon mbeten Gjermania, Turqia, Kina, Shqipëria dhe Italia, ndërsa në vitet e kaluara pjesë e listës ka qenë edhe Greqia. Eksportet kryesisht janë orientuar drejt Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Gjermanisë, Zvicrës dhe vendeve të tjera të BE-së.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, thekson se ky bilanc negativ tregon varësinë e lartë të tregut vendor nga importet dhe inflacioni që vjen bashkë me to. “Është shqetësues fakti që vlera e mallrave të importuara është shumë më e lartë se sasia e tyre, çka tregon se bashkë me produktet po importojmë edhe inflacionin,” u shpreh ai.

Edhe drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK), Kushtrim Ahmeti, ngriti shqetësimin për rënien e eksporteve dhe mungesën e mbështetjes për bizneset vendore. Sipas tij, shumë kompani kanë ndaluar investimet e planifikuara ose janë detyruar të zhvendosin prodhimin jashtë Kosovës, për ta rikthyer më pas në tregun vendor si mallra të importuara.

Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë se rritja e vazhdueshme e importeve, krahas rënies së eksporteve, jo vetëm që e dobëson bilancin tregtar, por edhe rrit presionin mbi çmimet dhe konsumatorët në vend.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button