Mot i freskët dhe reshje shiu në Kosovë, cikloni pritet të sjellë edhe borë gjatë javës

Kosova sot po përballet me mot të freskët dhe vranësira të shpeshta, të shoqëruara me intervale të shkurtra me diell. Reshje lokale shiu parashikohen kryesisht të dobëta dhe vetëm në disa rajone, ndërsa temperaturat maksimale mezi do të arrijnë 20 gradë Celsius, veçanërisht në zonën e Dukagjinit. Erërat e freskëta nga veriu do të ndikojnë që ndjesia e të ftohtit të jetë më e theksuar.
Në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi, dita e hënë do të sjellë mot të ngjashëm, me diell dhe vranësira kalimtare. Reshje të pakta janë të mundshme në disa pjesë të Shqipërisë kontinentale, si dhe lokalisht në Maqedoninë e Veriut dhe Preshevë.
E marta pritet të jetë më e qetë dhe pak më e ngrohtë, me intervale kohore me diell, ndërsa mund të ketë vetëm ndonjë rigë të izoluar shiu.
Të mërkurën parashikohet shtim i vranësirave, por me reshje të pakta. Situata ndryshon në mbrëmje dhe gjatë natës, kur një ciklon do të përfshijë rajonin, duke sjellë reshje më të dendura. Në të gjitha viset priten reshje shiu, ndërsa në zonat kodrinore-malore do të ketë reshje bore.
Meteorologët paralajmërojnë se deri të premten, reshje të izoluara bore mund të bien edhe në ultësirat e Rrafshit të Kosovës, duke shënuar hyrjen e hershme të kushteve tipike dimërore në vend.



