Kosova

Osmani flet në Kolegjin e Luftës së Ushtrisë Amerikane: “Flamuri amerikan për kosovarët është simbol shpëtimi”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në SHBA, ka mbajtur një fjalim në Kolegjin e Luftës së Ushtrisë Amerikane (U.S. Army War College), ku ka vlerësuar rolin vendimtar të SHBA-së dhe NATO-s në çlirimin dhe mbrojtjen e Kosovës.

Osmani tha se kujtimi i ushtarëve amerikanë që erdhën në Kosovë në vitin 1999 është i gjallë për çdo familje kosovare.
“Erdha tek ju jo vetëm si Presidente e Republikës së Kosovës, por si dikush që është rritur gjatë një lufte gjenocidale. Në orët më të errëta, Amerika qëndroi pranë nesh. Çdo familje mban kujtimin e parë kur pa flamurin amerikan në krahun e një ushtari amerikan — ai ishte simbol shpëtimi”, theksoi Osmani.

Ajo nënvizoi se ky premtim i dhënë nga SHBA ndaj Kosovës vazhdon edhe sot, duke e cilësuar Kosovën si “vendin më pro-amerikan në botë”.

Presidentja paralajmëroi se bota aktualisht po përballet me rreziqe më të mëdha që nga fundi i Luftës së Ftohtë, për shkak të fuqive autoritare që, sipas saj, po përdorin dezinformimin, presionin ekonomik dhe sulmet hibride për të minuar demokracinë dhe liritë.

Duke iu referuar sulmit terrorist të vitit 2023 në veri të vendit, Osmani e cilësoi atë si akt agresioni të mbështetur nga Serbia dhe Rusia.
“Ky nuk ishte vetëm një sulm ndaj Kosovës, por ndaj demokracisë, lirisë dhe sundimit të ligjit, ndaj gjithçkaje për të cilën qëndron Amerika”, tha ajo.

Osmani shtoi se Kosova do të vazhdojë të mbrojë sovranitetin e saj në koordinim të ngushtë me SHBA dhe aleatët tjerë, duke theksuar rëndësinë e unitetit, qëndrueshmërisë institucionale dhe forcës së aleancave përballë kërcënimeve moderne.

“Pa qëndrueshmëri dhe pa aleatë, edhe ushtritë më të forta mund të dobësohen nga brenda”, përfundoi Osmani.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button