Kosova

AUV urdhëron asgjësimin e 35 tonëve peshk të infektuar, por thotë se “krimbat nuk janë rrezik për konsumatorët”

Pas raportimeve të shumta dhe hulumtimit të publikuar nga Vox Kosova për praninë e krimbave dhe parazitëve në peshkun e ngrirë që shitet në Kosovë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka dalë me një përgjigje zyrtare.

Në reagimin e saj, AUV konfirmon se në përputhje me vendimin e Gjykatës Komerciale në Prishtinë (Aktvendimi Nr. 2025:134825), është urdhëruar asgjësimi i 35,170 kilogramëve peshk të infektuar me parazitë, të cilët aktualisht ndodhen të bllokuar në depot e kompanive importuese dhe nuk janë hedhur në treg.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në bashkëpunim me kompaninë përkatëse, janë duke ndërmarrë përgatitjet për asgjësimin e 35,170 kilogramëve peshk, me qëllim garantimin e sigurisë shëndetësore të konsumatorëve dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare. Në momentin e asgjësimit, AUV do të njoftojë publikun”, thuhet në përgjigjen e AUV.

Çka tha hulumtimi i djeshëm?

Në hulumtimin e publikuar dje nga Vox Kosova, u zbulua se prej vitesh qytetarët e Kosovës kanë konsumuar peshk të ngrirë të infektuar me krimba e parazitë, ndonëse institucionet përkatëse kanë qenë të vetëdijshme për këtë problem.

Raportet laboratorike kanë konstatuar praninë e parazitit Anisakis Simplex në shumicën e mostrave të peshkut të importuar nga kompani të ndryshme, përfshirë edhe furnitorët më të mëdhenj në vend. Pavarësisht kësaj, disa kompani refuzuan ta asgjësonin peshkun e infektuar dhe kërkuan që produkti të lejohej në treg.

Qëndrimi kontradiktor i Agjencisë

Edhe pse vendimet e gjykatës mbështetën asgjësimin dhe ndalimin e shpërndarjes së peshkut të kontaminuar, AUV ka publikuar një njoftim të diskutueshëm duke thënë se prania e krimbave nuk paraqet rrezik për shëndetin publik, përderisa peshku përgatitet në mënyrë të caktuar. Ky qëndrim ka ngjallur kritika të ashpra, duke u konsideruar si minimizim i rrezikut për konsumatorët.

Përfshirja e Ministrisë së Bujqësisë

Skandali ka zbuluar edhe neglizhencën institucionale. Sipas raportimeve, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ishte i informuar nga një sinjalizues për praninë e peshkut të infektuar në treg, por nuk ndërmori masa për ta ndaluar shpërndarjen.

Ndërkohë, qytetarët mbeten të ekspozuar ndaj një rreziku serioz për shëndetin publik, derisa skandali i peshkut të ngrirë me parazitë ka nxjerrë në pah dështimet e mekanizmave të kontrollit dhe mbikëqyrjes së ushqimit në Kosovë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button