Kosova
Kryesore

GAP: Kosova ka humbur mbi 613 milionë euro nga masat e BE-së, rrezikohen zhvillimi dhe integrimi evropian

Kosova po përballet me pasoja të rënda financiare e politike si rezultat i masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian, të vendosura që nga qershori i vitit 2023. Sipas një analize të Institutit GAP, deri në maj 2025 janë pezulluar projekte në vlerë 613.4 milionë euro përmes dy instrumenteve kryesore – IPA dhe Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Koordinatorja e hulumtimeve në GAP, Rrona Zhuri, tha në emisionin “Shtylla” se 7.1 milionë euro janë humbur përfundimisht, pasi disa projekte të IPA 2020 nuk arritën të kontraktohen para skadimit të afatit. Sipas saj, sektorët më të goditur janë mjedisi (350 milionë euro), energjia (117 milionë), digjitalizimi (56 milionë) dhe kultura (15 milionë).

“Pezullimi ka prekur projektet më vitale për zhvillimin e vendit, nga mjedisi tek energjia. Humbja e drejtpërdrejtë prej 7.1 milionë eurosh ka goditur bujqësinë, turizmin rural, sundimin e ligjit dhe inovacionin,” tha Zhuri.

Nga ana tjetër, hulumtuesi i GLPS, Besar Gërgi, paralajmëron se dëmi nuk është vetëm ekonomik.
“Masat e BE-së e paraqesin Kosovën si vend de-facto nën sanksione, çka Serbia e përdor kundër nesh. Kjo ka bërë pothuajse të pamundur edhe diskutimin e aplikimit tonë për anëtarësim në BE,” theksoi ai, duke e cilësuar dëmin si strategjik dhe afatgjatë.

Ndërkohë, këshilltari i zëvendëskryeministrit për Integrim Evropian, Klisman Kadiu, tha se Kosova ka përmbushur kërkesat për heqjen e masave që në fillim, duke përmendur Marrëveshjen e Bratisllavës. Ai shtoi se fondet e pezulluara janë të rikthyeshme dhe se tashmë ka nisur heqja graduale e masave, përfshirë rifillimin e takimeve të nënkomiteteve të MSA-së dhe disa projekte të WBIF-it.

Kritika të ashpra për pasojat ekonomike dha edhe kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Skënder Krasniqi, i cili e cilësoi situatën si “dëm të jashtëzakonshëm” për biznesin dhe qytetarët.
“Mungesa e fondeve, ngërçi politik dhe mosrealizimi i premtimeve qeveritare kanë bllokuar zhvillimin e vendit. Importet janë dyfishuar që nga viti 2020, ndërsa eksporti mbetet i ulët. Kjo ka larguar edhe investitorët e huaj,” u shpreh ai.

Ndërkohë që BE ende nuk ka dhënë një afat të qartë për heqjen e plotë të masave, ekspertët paralajmërojnë se Kosova po përballet me një krizë të dyfishtë – financiare dhe institucionale – që rrezikon integrimin evropian dhe zhvillimin afatgjatë të vendit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button