Në Bronx inaugurohet programi i parë dygjuhësh për shqiptarët në SHBA

Në shkollën publike PS/MS 108 në Bronx, New York, u hap zyrtarisht “Programi Kalimtar Dygjuhësh për Shqiptarët”, i pari i këtij lloji në SHBA dhe në botë. Programi, i financuar nga Departamenti i Edukimit i New York-ut, do t’u mundësojë fëmijëve shqiptaro-amerikanë të mësojnë në shqip dhe anglisht, duke lehtësuar integrimin e tyre në sistemin arsimor amerikan pa humbur gjuhën amtare.
Ceremonia u zhvillua më 25 shtator me pjesëmarrjen e presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, si dhe përfaqësuesve të lartë të arsimit dhe politikës në New York. Nismëtarët e programit, Mark Gjonaj dhe Drita Gjongecaj, e vlerësuan këtë si një ëndërr të bërë realitet pas shumë vitesh përpjekjesh.
Presidenti Begaj e quajti programin një “moment emocional” që u jep fëmijëve “rrënjë përmes gjuhës shqipe”, ndërsa ministrja Gërvalla theksoi rëndësinë që fëmijët shqiptarë në diasporë të rriten duke ruajtur identitetin e tyre kulturor.
Në ceremoni mori pjesë edhe kongresistja Alexandria Ocasio-Cortez, e cila uroi komunitetin shqiptar për këtë arritje historike. Programi do të nisë me një klasë parashkollore dhe do të zgjerohet vit pas viti në çdo nivel shkollimi.



