Kosova mbetet jashtë OKB-së, Shqipëria vazhdon lobimin për anëtarësim

Ndonëse krerët e institucioneve të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme Donika Gërvalla, e ndërlidhën vizitën e tyre në Nju Jork me sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Kosova mbetet ende jashtë kësaj organizate. Arsyeja është se Këshilli i Sigurimit nuk ka dhënë miratimin, ndërsa dy nga pesë anëtarët e përhershëm, Rusia dhe Kina, kanë paralajmëruar përdorimin e vetos.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në fjalën e tij para Asamblesë së Përgjithshme, theksoi se Kosova ka dëshmuar me vepra se është një anëtare e përgjegjshme e komunitetit ndërkombëtar, e përkushtuar ndaj stabilitetit dhe vlerave demokratike.
“Megjithatë, vendi i Kosovës në këtë Asamble mbetet padrejtësisht bosh. Njohja e pavarësisë së saj dhe mbështetja për anëtarësimin në OKB dhe organizatat e tjera ndërkombëtare është një akt drejtësie ndaj popullit të Kosovës dhe një hap që forcon paqen e sigurinë në Ballkanin Perëndimor,” tha Begaj.
Ish-ambasadori Lutfi Bilalli e vlerësoi pozitivisht lobimin e Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në OKB, ndërsa ish-ambasadori Avni Arifi u shpreh skeptik, duke theksuar se ky proces është i pamundur pa ndryshimin e qëndrimit të Rusisë dhe Kinës.
“Për mosanëtarësimin e Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së nuk mund të fajsohet kjo qeveri. Rusia dhe Kina janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit me të drejtë vetoje, dhe është e paimagjinueshme që ne të anëtarësohemi në këto rrethana,” deklaroi Arifi.
Ai gjithashtu kritikoi politikën e jashtme të Kosovës duke thënë se “Kosova është pa diplomaci, pa Ministri të Punëve të Jashtme, ndërsa ambasadorët po rrinë në zyra vetëm për të marrë një rrogë.”
Megjithëse nuk është pjesë e OKB-së, Kosova ka arritur të anëtarësohet në disa organizata ndërkombëtare. Aktualisht ajo nuk merr pjesë në Asamble as si anëtare e plotë dhe as si vëzhguese, por përfaqësohet në forume të veçanta përmes UNMIK-ut ose partnerëve ndërkombëtarë, pa të drejtë vote apo përfaqësim të drejtpërdrejtë.
Që nga shpallja e pavarësisë më 2008, institucionet e Kosovës kanë intensifikuar përpjekjet për sigurimin e njohjeve të reja dhe mbështetjes për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara.



