Kallas mblodhi udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në Nju Jork, Siljanovska Davkova ankohet për “standarde të dyfishta”

Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka mbledhur liderë e zyrtarë nga Ballkani Perëndimor në një takim të mbajtur në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Në këtë ngjarje morën pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, si dhe presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova. Serbia dhe Bosnja e Hercegovina u përfaqësuan nga ministrat e Jashtëm, Marko Gjuriq dhe Elmedin Konakoviq.
Siljanovska Davkova ndau edhe fotografi nga takimi, ku theksoi se i kishte shpalosur Kallasit pakënaqësitë e saj për “standardet e dyfishta” të BE-së ndaj vendeve të rajonit. “Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE nuk është thjesht proces zgjerimi, por një riintegrim themelor i rajonit në Europë. Standardet e dyfishta janë sjellje anti-europiane dhe rrezikojnë të sjellin përçarje të reja në vend të bashkimit”, deklaroi ajo.
Ankesat e presidentes maqedonase lidhen me ndarjen nga pakoja me Shqipërinë, e cila ka bërë përparim drejt hapjes së kapitujve të rinj të anëtarësimit në BE.
Nga Kosova në Nju Jork ndodhen gjithashtu kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ndërsa më herët ishte konfirmuar edhe prania e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.



