Dyvjetori i sulmit në Banjskë: BE kërkon arrestimin e autorëve nga Serbia
Dje u shënua dyvjetori i sulmit terrorist në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës, ku më 24 shtator 2023 një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës. Nga ky sulm, një polic kosovar humbi jetën dhe dy të tjerë u plagosën, ndërsa në përleshjet e mëvonshme u vranë edhe tre sulmues serbë.
Me këtë rast, Bashkimi Evropian ka kërkuar sërish nga autoritetet serbe që të arrestojnë dhe të ndjekin penalisht personat përgjegjës për këtë sulm, i cili ka tronditur stabilitetin dhe sigurinë në rajon.
“Presim që autoritetet serbe të arrestojnë dhe të ndjekin penalisht ata që janë përgjegjës për sulmin në Banjskë. Jemi të shqetësuar për raportimet që disa nga autorët e dyshuar kanë marrë pjesë në protesta së fundmi në Serbi”, ka thënë zëdhënësi i BE-së për televizionin N1.
Sipas zyrtarëve të BE-së, Vladimir Vuçetiq nga Mitrovica e Veriut, një nga 45 personat e përfshirë në aktakuzën për sulmin në Banjskë, është parë së fundmi në një protestë në qendër të Beogradit. Po ashtu, Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe dhe i shpallur në kërkim nga Interpoli për rolin e tij kyç në sulmin e vitit 2023, është parë duke kërcënuar qytetarë në një ngjarje në Kosjeriq të Serbisë. Radoiçiq kishte marrë më herët përgjegjësinë për organizimin e sulmit, por ende nuk është arrestuar nga autoritetet serbe.
BE shpreh zhgënjimin për faktin se, pavarësisht kërkesës për ndihmë juridike të ndërsjellë që Kosova ka dërguar në tetor 2023 përmes përfaqësuesit special të BE-së, Serbia nuk ka dhënë asnjë përgjigje zyrtare.
“Presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanaleve të ndihmës së ndërsjellë juridike. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së ka ngritur personalisht këtë çështje me presidentin Vuçiq dhe do të vazhdojë ta diskutojë edhe në takimet e ardhshme me liderët e Ballkanit Perëndimor në Nju Jork”, thuhet në deklaratën e BE-së për N1.



