Bota

Tensionet SHBA-Venezuelë: Konflikti mbi drogën fsheh garën për naftë

Një krizë mes SHBA-së dhe Venezuelës ka marrë përmasa të rrezikshme në det të hapur, ku trupat amerikane kanë qëlluar ndaj anijeve që dyshohet se transportojnë drogë. Uashingtoni dhe Karakasi paralajmërojnë njëri-tjetrin dhe mobilizojnë forcat e tyre ushtarake, ndërsa duket se në thelb fshihet një garë për rezervat më të mëdha të naftës në botë.

Sipas ekspertëve, konflikti nuk është thjesht ideologjik. Demian Regehr nga fondacioni Hans-Seidel në Karakas vë në dukje se situata pasqyron konkurrencën për energji, tregje dhe influencë gjeopolitike në Amerikën Latine. Përveç tensioneve me SHBA-në, Venezuela herë pas here ka pasur grindje edhe me fqinjën e saj, Guajanën, pas zbulimit të rezervave të mëdha të naftës në këtë vend.

Që nga viti 2015, prodhimi i naftës në Guajanë ka shënuar rritje të vazhdueshme. Ndërkohë, industria venezueliane është në rënie, duke pasur si shkak keqmenaxhimin e kompanisë shtetërore PDVSA, mungesën e ekspertizës profesionale dhe sanksionet e SHBA-së.

Nga kriza përfitojnë fuqitë e tjera, sidomos Kina, e cila po furnizohet me naftë venezueliane me çmime të favorshme, duke konsoliduar ndikimin e saj në rajon dhe duke shmangur sanksionet amerikane.

Tani, Nicolás Maduro po synon të tërheqë investitorët europianë dhe të rikthejë eksportet drejt tregjeve evropiane, megjithë kritikat për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe mashtrimet zgjedhore. Ai u ka bërë thirrje kompanive të ardhura nga Europa të investojnë dhe të prodhojnë në Venezuelë, edhe pse sanksionet e SHBA-së vazhdojnë të kufizojnë veprimtarinë e tyre.

Ekspertët paralajmërojnë se Europa mbetet spektatore, ndërsa SHBA dhe Kina po garojnë për influencë dhe akses në energji në Amerikën Latine. Situata mbetet e tensionuar dhe çdo eskalim i konfliktit mund të ketë pasoja të mëdha gjeopolitike dhe ekonomike.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button