Prokuroria kërkon vazhdimin e paraburgimit për Hashim Thaçin

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, e udhëhequr nga prokurorja Kimberly West, ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit për ish-presidentin Hashim Thaçi. Ai akuzohet, së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në kërkesën e dorëzuar më 22 shtator 2025, Prokuroria argumenton se ekziston dyshimi i bazuar se Thaçi ka kryer veprat penale që bien nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK). Sipas Prokurorisë, Thaçi paraqet rrezik të lartë për arratisje dhe për të penguar procedurat, duke përfshirë frikësimin e dëshmitarëve dhe publikimin e informacionit konfidencial.
Prokuroria thekson se asnjë masë alternative nuk mund të zbusë këto rreziqe, dhe vazhdimi i paraburgimit është i arsyeshëm dhe proporcional.
Ndërkaq, mbrojtja ka filluar paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, duke dëgjuar ish-zyrtarë ndërkombëtarë si James Rubin dhe Paul Williams. DhSK ka caktuar datën 14 nëntor 2025 për përfundimin e paraqitjes së provave nga mbrojtja, ndërsa parashtresat përfundimtare dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve tek viktimat do të dorëzohen deri më 22 dhjetor 2025.
Aktakuza ndaj Thaçit dhe bashkëakuzaurëve u konfirmua më 26 tetor 2020, dhe që nga ajo kohë të katërtit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.



