Bota

NATO paralajmëron Rusinë pas shkeljes së hapësirës ajrore në Estoni

NATO ka paralajmëruar Rusinë që të ndalë veprimet “përshkallëzuese” pas incidentit të fundit kur avionë rusë shkelën hapësirën ajrore të Estonisë për 12 minuta. Aleanca ushtarake prej 32 anëtarësh mbajti bisedime urgjente të martën, të thirrura nga Estonia në bazë të Nenit 4 të traktatit të NATO-s.

“Nuk ka dyshim: Rusia mban përgjegjësi të plotë për këto veprime që rrezikojnë jetën e njerëzve dhe mund të çojnë në keqllogaritje. Këto veprime duhet të ndalen menjëherë”, thuhet në deklaratën e NATO-s. Aleanca theksoi se mbetet e gatshme të përdorë të gjitha mjetet ushtarake dhe joushtarake për të mbrojtur anëtarët e saj, duke e cilësuar angazhimin për mbrojtjen kolektive si “të pathyeshëm”.

Incidenti në Estoni ndodhi vetëm një javë pasi NATO rrëzoi dronë rusë mbi hapësirën ajrore të Polonisë, gjë që po ashtu çoi në konsultime urgjente në Varshavë. Përveç Polonisë dhe Estonisë, edhe Finlanda, Lituania, Letonia dhe Rumania kanë raportuar shkelje të hapësirave të tyre ajrore nga avionët rusë.

Rritja e tensioneve ka nxitur shqetësime se lufta e Rusisë në Ukrainë mund të përhapet përgjatë kufirit lindor të NATO-s. Megjithatë, shtetet aleate u zotuan se këto veprime nuk do ta dobësojnë mbështetjen e tyre për Kievin.

Që nga viti 2022, Neni 4 i traktatit të NATO-s është aktivizuar katër herë, ndërsa në historinë 79-vjeçare të aleancës, gjithsej nëntë herë. Ndërkohë, Neni 5 – që parasheh mbrojtjen kolektive në rast sulmi ndaj një anëtari – është përdorur vetëm një herë, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button