Dëshmitari britanik në Hagë: Thaçi nuk ishte Komandant i Përgjithshëm i UÇK-së

Diplomati britanik, John Duncan, gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka deklaruar se nuk ka parë asnjë provë që Hashim Thaçi të ketë qenë Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Nuk kam parë asnjë dëshmi, asnjë provë të kësaj gjëje”, u shpreh ai, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Duncan shpjegoi se roli i një komandanti të përgjithshëm në një ushtri të rregullt lidhet drejtpërdrejt me dhënien e urdhrave, direktivave dhe sigurimin e zbatimit të tyre, gjë që sipas tij nuk ishte rasti me Thaçin.
Ai theksoi se gjatë takimeve, Thaçi trajtohej nga krahu ushtarak si figurë politike, e jo si udhëheqës ushtarak. “Mënyra se si silleshin ata me të, tregonte se e shihnin si krah politik me ndikim, por jo me respekt ushtarak. Respektin ushtarak e kishin për gjeneralin Agim Çeku, që shihej si profesionist i fushës”, tha dëshmitari.
Sipas Duncan, prania e Thaçit në bisedime krijonte një lloj tensioni politik, tipik për rastet kur në diskutime përfshiheshin edhe ushtarakë profesionistë. “E kanë parë Thaçin si politikan të rëndësishëm për kauzën, por jo si komandant ushtarak”, përfundoi ai.
Ai shtoi gjithashtu se nuk ka parë raste ku Thaçi të ketë dhënë direktiva apo urdhra ushtarake.



