James Rubin: SHBA-ja e konsideronte Hashim Thaçin “lider” gjatë Rambujesë, por UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar ushtarake

Gjykata Speciale po vazhdon shqyrtimin e rastit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ish-Ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ka dëshmuar sot, ku u sfidua nga gjykatësit mbi strukturën dhe udhëheqjen e UÇK-së. Rubin u pyet lidhur me deklaratat e Sekretares së atëhershme të Shtetit, Madeleine Albright, gjatë takimeve në Rambuje në vitin 1999.
Në një nga këto deklarata, Albright i referohej Thaçit si “lider”. Një gjykatës e pyeti Rubinin për këtë, duke kërkuar të sqarohej roli i Thaçit dhe struktura komanduse e UÇK-së. Rubin u përgjigj se Albright e kishte konsideruar Thaçin një prej liderëve, duke bërë dallimin se nuk ishte “ministri i jashtëm” apo një figurë tjetër politike.
Ai shtoi se SHBA-ja synonte që Thaçi të bëhej “udhëheqës i një kombi”, dhe se kishte autoritet nga Albright për të vlerësuar situatën. Rubin theksoi gjithashtu se, sipas njohurive të tij, në UÇK nuk kishte një strukturë të organizuar si batalione apo brigada, por më shumë grupe dhe klane.
Deklaratat e Rubin vijnë ndërkohë që Gjykata Speciale po shqyrton rolin e ish-krerëve të UÇK-së gjatë luftës dhe autoritetin që ata kanë pasur në udhëheqjen e forcave.



