Qeveria e Spanjës heq mbi 53 mijë apartamente pushimi të paligjshme nga platformat online

Qeveria spanjolle ka njoftuar se do të largojë nga platformat online 53.876 apartamente pushimi të paligjshme, të cilat do të rikthehen në tregun e rregullt të banesave. Kryeministri Pedro Sánchez deklaroi se këto apartamente do të vihen në dispozicion të të rinjve dhe familjeve, duke theksuar se mijëra parregullsi janë zbuluar në dokumentacionin e tyre.
Sipas të dhënave, numri më i madh i rasteve është regjistruar në Sevilje (2.289), Marbeja (1.802), Barcelonë (1.564), Malaga (1.471) dhe Madrid (1.257). Ministria e Strehimit u ka kërkuar platformave të heqin menjëherë këto oferta.
Iniciativa është pjesë e strategjisë së qeverisë për të frenuar qiratë e paligjshme turistike, për të përmirësuar cilësinë e jetës në qytete dhe për të rikthyer strehimin në funksionin e tij bazë. Edhe më herët, Spanja kishte ndërhyrë duke larguar dhjetëra mijëra apartamente nga Airbnb.
Spanja po përballet me një krizë të thelluar strehimi, ku sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, numri i apartamenteve të pushimeve ka arritur në rreth 400 mijë, me ritme rritjeje deri në 15% në vit. Situata ka nxitur protesta masive në mbarë vendin, ku qytetarët kërkojnë fundin e spekulimeve me banesat, më shumë ndërtime sociale dhe kufizim të turizmit masiv.



