Kosova

James Rubin: Thaçit i kemi besuar shumë, e paralajmërova për hakmarrjen ndaj serbëve

Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ka dëshmuar sot në Hagë në rastin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, duke theksuar marrëdhënien e ngushtë të besimit që kishte krijuar me të.

“I kam besuar gjithnjë e më shumë me kalimin e viteve, sepse ai tregoi që fjalët që thoshte i përkthente në veprime”, deklaroi Rubin, duke iu përgjigjur pyetjeve të trupit gjykues.

Rubin sqaroi se akuzat për krime lufte nuk i kishte diskutuar me Thaçin as në Rambuje dhe as në Paris, por më vonë, gjatë vitit 1999, kur ishte dërguar në Kosovë për të trajtuar një situatë urgjente në Luginën e Preshevës.

Ai tregoi se mesazhi kryesor i diplomacisë amerikane asokohe, i përcjellë edhe nga sekretarja e Shtetit Madeleine Albright, kishte qenë kërkesa për tolerancë dhe shmangie të hakmarrjes ndaj serbëve.

Rubin kujtoi bisedën e tij të drejtpërdrejtë me Thaçin në fund të pranverës apo në vjeshtën e vitit 1999:

“I thashë: Hashim, ne kemi shkuar në betejë për ty, kemi luftuar për ty, kemi vënë besueshmërinë tonë në rrezik për këtë gjë dhe ne do të dilnim shumë, shumë keq nëse ju ua bëni serbëve atë që ua kanë bërë serbët. Nuk do të ishim më në gjendje të të mbështesnim nëse do të ndodhte një gjë e tillë.”

Sipas tij, Thaçi e kishte siguruar se do të bënte gjithçka që ishte në mundësitë e tij – përmes deklaratave publike, takimeve dhe përpjekjeve të tjera – që një gjë e tillë të mos ndodhte.

Dëshmia e Rubin konsiderohet një nga më të rëndësishmet deri tani, pasi ndriçon raportet mes UÇK-së dhe diplomacisë amerikane në kohën e pasluftës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button