Kosova

KQZ: Vazhdon aplikimi për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për zgjedhjet lokale të 12 tetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se po vazhdon periudha e aplikimit online për akreditimin e vëzhguesve dhe përfaqësuesve të mediave që do të monitorojnë Zgjedhjet Lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvendet komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.

Të drejtë për të aplikuar kanë subjektet politike të certifikuara, organizatat joqeveritare, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara në fushën e zgjedhjeve dhe të drejtave të njeriut, mediat vendore e ndërkombëtare, si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja.

Afatet e dorëzimit të kërkesave janë si më poshtë:

17 shtator 2025 – afati për subjektet politike të certifikuara;

27 shtator 2025 – afati për OJQ-të vendore, organizatat qeveritare/ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare dhe përfaqësuesit e shteteve të huaja;

7 tetor 2025 – afati për mediat vendore dhe ndërkombëtare.

Aplikimi bëhet online në platformën zyrtare https://apliko.kqz-ks.org
, ku është publikuar edhe një video udhëzuese për të gjithë hapat e procesit.

Pas dorëzimit të kërkesës, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) shqyrton aplikimin dhe, në rast miratimi, dërgon përmes e-mailit kredencialet për qasjen në platformë, në mënyrë që të mund të regjistrohen edhe personat e organizatës apo medias që do të akreditohen.

Për më shumë informacione, të interesuarit mund të kontaktojnë përmes e-mailit [email protected]
ose në numrin e telefonit +383 38 200 81 010, nga ora 08:00 deri në 16:00.

KQZ ka theksuar se vetëm vëzhguesit e akredituar do të kenë të drejtë të monitorojnë zgjedhjet dhe aktivitetet e tjera në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button