Ministrja finlandeze e Jashtme vizitoi Beogradin para se të vinte në Prishtinë, thekson rëndësinë e lirisë së protestave dhe normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën

Para vizitës së saj zyrtare në Prishtinë, ministrja e Jashtme e Finlandës dhe kryesuese aktuale e OSBE-së, Elina Valtonen, qëndroi në Beograd për të marrë informacion mbi situatën në Serbi dhe kushtet në të cilat vepron shoqëria civile.
Valtonen u interesua veçanërisht për protestat e fundit kundër qeverisë së presidentit Aleksandar Vuçiq, duke vënë në dukje se ato shpesh janë shtypur me dhunë. “Në muajt e fundit, në Serbi ka pasur protesta të shpeshta, kryesisht të udhëhequra nga studentët. Qeveria i ka shtypur demonstratat me dhunë”, deklaroi ajo.
Gjatë vizitës, Valtonen u takua me kryeministrin serb, Aleksandar Macut, ministrin e Jashtëm, Marko Gjuriq, dhe kryetaren e Parlamentit, Ana Bërnabiq. Ajo theksoi rëndësinë e lirisë së tubimit paqësor si një shtyllë qendrore e demokracisë dhe diskutoi mbi mbrojtjen e shoqërisë civile dhe kërkesat e saj ndaj qeverisë.
Kryediplomatja finlandeze gjithashtu shtroi kushtet për rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian, duke përfshirë çrrënjosjen e korrupsionit, zbatimin e reformave që forcojnë sundimin e ligjit dhe liritë e individëve, si dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. “Serbia është një shtet pjesëmarrës në OSBE dhe një vend kandidat për në BE. Ne duam ta mbështesim në këtë rrugë, por parakushtet janë këto”, nënvizoi Valtonen.



