Reuters raporton për dëshminë e James Rubin në Hagë

Dëshmia e ish-zyrtarit të lartë amerikan, James Rubin, për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, po tërheq vëmendje ndërkombëtare. Pas raportimit të agjencisë AP, edhe Reuters ka përshkruar detajet e dëshmisë disaorëshe të Rubin në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Rubin, i pranishëm në bisedimet e paqes midis Kosovës dhe Serbisë në vitet 1998-1999, tha të hënën se Thaçi nuk kishte autoritet mbi komandantët ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në fillim të çështjes së mbrojtjes së tij në gjyqin për krime lufte.
“Për mua ishte e qartë se ai nuk ishte në krye. Ai nuk kishte njohuritë, aftësitë ose autoritetin për të marrë vendime,” deklaroi Rubin, duke e portretizuar Thaçin si një udhëheqës kryesisht diplomatik që duhej të kërkonte miratim nga komandantët ushtarakë të UÇK-së.
Thaçi dhe tre ish-komandantë të tjerë të UÇK-së janë në gjyq që nga viti 2023, për akuza që përfshijnë persekutim, vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë gjatë dhe menjëherë pas konfliktit të viteve 1990 që çoi në pavarësinë e Kosovës. Të gjithë i mohojnë akuzat.
Rubin shtoi: “Ata i thanë çfarë të bënte, ai nuk u tha atyre çfarë të bënin”, duke nënvizuar mungesën e kontrollit të Thaçit mbi komandantët e lartë të UÇK-së.