
Agjencia prestigjioze e lajmeve Associated Press ka raportuar të hënën për dëshminë e ish-diplomatit amerikan, James Rubin, i cili po paraqitet si dëshmitari i parë i mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Sipas raportimit, Thaçi gjykohet së bashku me tre ish-udhëheqës të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), organizatë guerile që luftoi kundër forcave serbe gjatë luftës, dhe që në Kosovë konsiderohet gjerësisht si simbol heroik kombëtar.
Rubin, i cili ishte pjesë e ekipit të ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, në bisedimet e paqes në Rambuje më 1999 dhe më vonë në procesin e çarmatosjes së UÇK-së, e përshkroi Thaçin si “përfaqësues” të saj, pa pushtet të mirëfilltë vendimmarrës.
“Për mua ishte e qartë se ai nuk ishte përgjegjës. Ai nuk i kishte njohuritë, kapacitetet ose autoritetin për të marrë vendime në çfarëdo forme ose mënyre”, citohet Rubin nga AP.
Në raportim kujtohet gjithashtu se Thaçi, i cili pas luftës u ngrit në pushtet politik, dha dorëheqje nga posti i presidentit për t’u përballur me akuzat që rëndojnë ndaj tij dhe ish-bashkëluftëtarëve Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi. Ata akuzohen për vrasje, përndjekje, tortura dhe zhdukje me forcë.