Kosova

Detajet nga pjesa e parë e dëshmisë së James Rubin në Speciale

Ish-zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit amerikan, James Rubin, nisi të hënën dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku po gjykohet ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-drejtues të tjerë të UÇK-së. Seanca shënoi fillimin e fazës së mbrojtjes, pas gati dy vjetësh dëgjime nga Prokuroria Speciale.

Rubin, ish-kryezëdhënës i Departamentit të Shtetit dhe një nga figurat kyçe të procesit të Rambujesë, dëshmoi për takimet e tij me udhëheqësit kosovarë që në fillim të viteve ’90. Ai tha se zhvillimet në Kosovë ishin parë me shumë rëndësi nga SHBA, pasi ekzistonte frika se konflikti mund të përhapej në rajon.

Gjatë seancës, Rubin kujtoi edhe bashkëpunimin me qeverinë e Kosovës në vitin 2018 përmes një kontrate lobimi mbi paqen me Serbinë, si dhe takimin e tij të fundit me Thaçin në vitin 2019.

Avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, i kujtoi atij një takim të para 26 viteve, duke përmendur objektivat e Thaçit për marrëveshje politike, garanci ndërkombëtare dhe ndërtimin e institucioneve demokratike. Rubin tha se nuk mban mend fjalë për fjalë, por se qëndrimet e Thaçit në atë kohë përputheshin me ato që u paraqitën nga mbrojtja.

Në vijim, Rubin solli në kujtesë Konferencën e Rambujesë të vitit 1999, kur ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, e kishte paralajmëruar Thaçin se do të mbante përgjegjësi për jetët e njerëzve nëse refuzonte marrëveshjen. Ai tha se Thaçi kishte ngulur këmbë që të mos hiqej dorë nga përdorimi i termit “pavarësi”, pasi ndryshe do të shihej si një udhëheqës që kishte lëshuar terren.

Megjithatë, Rubin theksoi se Thaçi nuk kishte autoritet të plotë për të marrë vendime, pasi funksiononte brenda një strukture të brendshme ku vendimet merren në grup. “Ai duhej të merrte leje nga të tjerët dhe nuk mund të diktonte vetë kushte apo rregulla”, tha ai para trupit gjykues.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button