SHBA pezullon Dialogun Strategjik me Kosovën, odat ekonomike paralajmërojnë pasoja të rënda

Vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta pezulluar për një kohë të pacaktuar Dialogun Strategjik me Kosovën është cilësuar si goditja më e rëndë për vendin në raportet me aleatin kryesor ndërkombëtar.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DhTIK) reagoi duke theksuar se marrëdhëniet me SHBA-të janë jetike për institucionet demokratike, zhvillimin ekonomik dhe integrimin euroatlantik të vendit. Ky institucion kritikoi ekzekutivin se vonoi heqjen e taksës ndaj produkteve amerikane, pa arritur ndonjë efekt pozitiv.
Edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) paralajmëroi se pezullimi i kësaj nisme është hap prapa për aspiratat ekonomike dhe diplomatike të vendit. “Kosova nuk ka partner më të madh se SHBA-ja dhe ky realitet duhet të reflektohet në vendimmarrjet e institucioneve”, thuhet në reagimin e saj.
Në të njëjtën linjë, Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) e cilësoi vendimin si rrezik për imazhin e Kosovës si destinacion për investime. Sipas OEK, rënia e investimeve të huaja dhe të diasporës po e shtyn ekonominë drejt një situate gjithnjë e më sfiduese.
Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7, paralajmëroi se pasiguria politike po dëmton rëndë besimin e tregjeve dhe ndikon më së shumti në ndërmarrjet e vogla e të mesme, veçanërisht ato të udhëhequra nga gratë.
Edhe Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) shprehu shqetësim, duke paralajmëruar për “një erozion të partneritetit Kosovë-SHBA” dhe kërkoi veprim urgjent nga institucionet për të rikthyer besimin e humbur.
Ambasada e SHBA-së në Prishtinë njoftoi të premten se pezullimi i Dialogut Strategjik erdhi pas veprimeve dhe deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të cilat, sipas saj, kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke pamundësuar bashkëpunimin produktiv mbi prioritetet e përbashkëta.
Dialogu Strategjik është proces i rregullt i Departamentit të Shtetit me aleatët, që zhvillohet mbi fusha si mbrojtja, siguria, ekonomia dhe energjia. Në rajon, vetëm Maqedonia e Veriut ka hyrë në një dialog të tillë me SHBA-në.