Gjykata Speciale: Dëshmitë e mbrojtjes për Thaçin dhe Krasniqin pritet të përfundojnë në dhjetor

Paneli i gjyqtarëve të Dhomave të Specializuara ka parashikuar që deri më 14 nëntor, ose një javë pas dëshmisë së fundit, të mbyllet rasti i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi.
Sipas afateve të përcaktuara, mbrojtja e Thaçit dhe Krasniqit pritet të dorëzojë shkresat përfundimtare të gjykimit deri më 22 dhjetor të këtij viti.
Gjatë konferencës së fundit statusore, mbrojtja e Thaçit ka deklaruar se do t’i nevojiten 35.5 orë për dëshmitë e dëshmitarëve të saj. Ndërsa, mbrojtja e Krasniqit ka bërë të ditur se dy dëshmitarë do të paraqiten personalisht në gjykatë, ndërsa dy të tjerë do të japin dëshminë e tyre me shkrim, të cilat tashmë i janë dorëzuar prokurorisë.
Gjykatësi ka vlerësuar se për përfundimin e dëshmive do të duhen rreth 35 ditë pune, me pesë orë dëshmi në ditë, duke parashikuar kështu përfundimin e tyre në dhjetor.
Ndërkohë, ekipet mbrojtëse të Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit kanë njoftuar se nuk do të paraqesin dëshmi mbrojtëse.