James Rubin nis dëshminë në Hagë në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së

Ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ka nisur sot dëshminë e tij para Gjykatës Speciale në Hagë, në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Seanca startoi në orën 9:00, me transmetim të vonuar për 45 minuta.
Në sallë, për të ndjekur dëshminë e Rubin-it nga galeria e publikut, ndodheshin edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, si dhe vëllezërit e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Deputeti Hasani, një ditë më parë, deklaroi se dëshmia e Rubin-it është dëshmi e vullnetit për të mbrojtur luftën e UÇK-së dhe për të dëshmuar pafajësinë e ish-krerëve të saj. “Kjo tregon vullnetin e tij që të dëshmojë për një ushtri çlirimtare të Kosovës, për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Krasniqin dhe Jakup Krasniqin, që ata nuk kanë bërë asnjë krim. Çdo veprim i UÇK-së është bërë në aleancë me NATO-n, dhe bashkë me NATO-n është sjellë liria e Kosovës”, tha Hasani.
Ai shtoi se dëshmia e Rubin-it do të shërbejë si kundërpeshë ndaj akuzave të prokurorisë, të cilat, sipas tij, janë bazuar në dëshmi të “personave me pretendime të ulëta dhe të dëmshme”.
Hasani foli edhe për protestën e zhvilluar një ditë më parë në Hagë, duke theksuar se efekti i saj është parë sot me flamujt e UÇK-së dhe të kombit shqiptar, si dhe me brohoritjet e qytetarëve të pranishëm.