Rajoni

Studentët në Novi Sad: Policia përdori gaz të ndaluar CN kundër protestuesve

Studentët e Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore (PMF) në Novi Sad kanë bërë publike rezultatet e një analize të pavarur laboratorike, ku pretendohet se më 5 shtator policia përdori gazin e rrezikshëm CN në kampusin universitar, përveç gazit CS.

Sipas tyre, kromatografia e gazit me spektrometri masive (GC-MS) ka konfirmuar praninë e dy agjentëve kimikë: CS (2-klorobenziliden malononitril) dhe CN (kloroacetofenon). Studentët theksojnë se CN është shumë më toksik, i dëmshëm për sytë, kornenë dhe mushkëritë, dhe është hequr nga përdorimi në shumicën e vendeve që nga vitet 1970.

“Përdorimi i gazit CN nuk është mjet kontrolli, por helmim i qytetarëve të vet”, thuhet në reagimin e studentëve, të cilët kërkojnë hetim dhe përgjegjësi penale ndaj atyre që e kanë lejuar këtë praktikë. Ata paralajmëruan qytetarët dhe oficerët e policisë që vetëm maskat me filtra ofrojnë mbrojtje kundër CN dhe CS.

Studentët dyshuan për përdorimin e një substance të pazakontë pasi panë pjesëtarë të policisë duke mbledhur bombola të shkrepura me fenerë pas protestës, gjë që i shtyu ata të organizonin mbledhjen e provave dhe t’i nënshtrojnë ato analizave të pavarura. Në mesin e dhjetëra bombolave të mbledhura, disa rezultuan të ishin pa shenja ose me shenja të fshira.

Ata u shprehën të gatshëm që një pjesë të mostrave t’ia dorëzojnë institucioneve shtetërore për analiza shtesë. “Ne nuk kemi frikë nga e vërteta dhe qëndrojmë pas rezultateve tona. A do të tregoni guxim e transparencë apo do të vazhdoni të fshihni atë që publiku ka të drejtë të dijë?”, pyetën ata.

Gjatë protestës së 5 shtatorit në Novi Sad, policia ndërhyri me forcë ndaj studentëve, profesorëve dhe qytetarëve, ndërsa raportohet se edhe disa efektivë policie u panë duke vjellë pas ekspozimit ndaj gazit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button