Lajme

Edi Rama prezanton Qeverinë e Katërt: Shtatë ministra të rinj dhe ministrja e parë e Brendshme grua

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka prezantuar sot kabinetin e tij të ri qeveritar për mandatin e katërt. Ndryshimet përfshijnë largimin e shtatë ministrave nga kabineti i mëparshëm dhe emërimin e shtatë emrave të rinj që do të drejtojnë disa nga ministritë kryesore të vendit.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme është emërimi i Albana Koçiut si ministre e Brendshme, duke shënuar herën e parë që një grua merr drejtimin e kësaj ministrie. Ajo zëvendëson Ervin Hoxhën, ndërsa më parë drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.

Belinda Balluku mbetet në detyrën e zv/kryeministres dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa Elisa Spiropali emërohet ministre e Punëve të Jashtme, duke zëvendësuar Igli Hasanin. Ministrinë e Kulturës, Turizmit dhe Sportit do ta drejtojë Blendi Gonxhe, ndërsa Evis Sala emërohet ministre e Shëndetësisë.

Ndryshime ka edhe në ministritë e Arsimit dhe Mjedisit: Mirela Kumbaro largohet nga Turizmi dhe merr drejtimin e Arsimit, ndërsa Sofjan Jaupaj drejton Mjedisin. Një novitet i veçantë është përfshirja e Diellës, anëtarja e parë jo fizike e qeverisë, e krijuar nga Inteligjenca Artificiale, e cila do të shërbejë për prokurimet publike.

Në drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë është emëruar Besfort Lamallari, ndërsa Ulsi Manja do të marrë drejtimin e Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Pirro Vengu mbetet ministër i Mbrojtjes, ndërsa Andis Salla, kryebashkiaku i Cërrikut, merr drejtimin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Lista e plotë e kabinetit Rama 4 përfshin gjithashtu:

Petrit Malaj – Financat

Delina Ibrahimaj – Ekonomia dhe Inovacioni

Ervin Demo – Pushteti Vendor

Majlinda Dhuka – Kryenegociatore e Shqipërisë

Adea Pirdeni – Antikorrupsioni

Toni Gogu – Marrëdhëniet me Parlamentin

Ky kabinet shënon një hap të ri me prezencën e Inteligjencës Artificiale në qeverisje dhe një rritje të përfaqësimit të grave në poste kyçe.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button