Shtetas i Kosovës pranon fajësinë në SHBA për një rast kibernetik

Shtetasi i Kosovës, Liridon Masurica, është deklaruar fajtor për drejtimin e tregut kibernetik ilegal BlackDB.cc, i cili ka funksionuar nga viti 2018 deri në vitin 2025, raporton “Bleeping Computer”.
Masurica, 33 vjeç, i njohur online si @blackdb, u arrestua nga autoritetet kosovare më 14 dhjetor 2024 dhe më pas u ekstradua në Shtetet e Bashkuara më 9 maj 2025. Pas paraqitjes në gjykatë në Tampa më 12 maj, ai u vendos në paraburgim.
Sipas dokumenteve të gjykatës, Masurica ishte administratori kryesor i tregut online BlackDB.cc, ku shiteshin llogari të komprometuara, kredenciale serverësh, të dhëna të vjedhura kartash krediti dhe informacione personale (PII) të mijëra viktimave në mbarë botën, me fokus të veçantë tek qytetarët amerikanë.
Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së bëri të ditur se këto të dhëna u përdorën nga kriminelë kibernetikë për aktivitete të paligjshme, si mashtrime financiare, vjedhje identiteti dhe mashtrime tatimore.
Masurica përballet me pesë akuza për përdorim mashtrues të pajisjeve të aksesit të paautorizuar dhe një akuzë për komplot për mashtrim me pajisje të aksesit. Nëse shpallet fajtor për të gjitha akuzat, ai mund të dënohet deri në 55 vite burg federal.