Gjenerali Barduani pret ambasadoren greke në Kosovë, diskutohet siguria dhe dialogu

Komandanti i misionit të KFOR-it, Gjeneral Major Enrico Barduani, ka pritur sot në Shtabin e KFOR-it në Kampin Film City në Prishtinë, Ambasadoren e Greqisë në Kosovë, Shkëlqesinë e Saj Heleni Vakali.
Gjatë takimit, të dy zyrtarët diskutuan mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajonin e gjerë, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Gjenerali Barduani theksoi përkushtimin e KFOR-it për të mbështetur dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe për të garantuar një mjedis të qëndrueshëm dhe të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Ai vlerësoi kontributin dhe profesionalizmin e kontingjentit grek, duke nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë për KFOR-in.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë, në mënyrë të paanshme dhe në çdo kohë. KFOR-i punon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin EULEX në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë,” thuhet në njoftimin e KFOR-it.