Protestë simbolike në Borçë pas vizitës së Vuçiqit

Në vendbanimin Borça, pranë Beogradit, mbrëmjen e djeshme qytetarët organizuan një aksion simbolik të dezinfektimit të rrugëve, në shenjë proteste ndaj vizitës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili kishte qëndruar aty një ditë më parë.
Protestuesit marshuan përgjatë së njëjtës rrugë ku të dielën kishin kaluar mbështetësit e Partisë Progresive Serbe (SNS). Në ballë të kolonës ndodheshin persona të veshur me skafandera mbrojtëse dhe të pajisur me mjete dezinfektimi, duke inskenuar një “pastrim” simbolik të zonës.
Një ditë më herët, përveç Vuçiqit, në Borçë kishte qenë edhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, ndërsa mes mbështetësve të pushtetit u panë pankarta me mesazhet “Nuk e japim Serbinë” dhe “Dua të mësoj”.
Gjatë fjalimit, presidenti serb u premtoi banorëve të Borçës “lajme të mira” në të ardhmen dhe tha se do të angazhohet për zhvillimin e zonës dhe të gjithë vendbanimeve në anën e majtë të lumit Danub.
“Do të luftojmë për Borçën, por jo vetëm për Borçën – për të gjitha vendbanimet në anën e majtë të Danubit, ashtu siç ndërtuam Shtëpinë e Shëndetit,” u shpreh Vuçiq.