Bota

Kompanitë amerikane sfidojnë në Gjykatën e Lartë tarifat e Trump, në rrezik rimbursimi prej 160 miliardë dollarësh

Politika e tarifave doganore e vendosur nga presidenti amerikan Donald Trump po përballet me sfida serioze në gjykata. Disa kompani amerikane, përfshirë edhe një sipërmarrës italian, kanë paditur administratën, duke arritur që dy gjykata të rrëzojnë tashmë vendimet për tarifat.

Çështja pritet të marrë një vendim final në Gjykatën e Lartë, ku shumica e gjyqtarëve janë konservatorë. Megjithatë, ky fakt nuk garanton fitoren e administratës në betejën e saj tregtare.

Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, ka pranuar se nëse Gjykata vendos kundër qeverisë, Thesari do të detyrohet të rimbursojë kompanive rreth gjysmën e tarifave të paguara deri tani – një shumë që mund të arrijë deri në 160 miliardë dollarë. Një zhvillim i tillë do të përbënte jo vetëm një goditje ekonomike, por edhe politike për Shtëpinë e Bardhë.

Për pesë muaj, pasiguria mbi tarifat ka ndikuar negativisht tek bizneset amerikane, duke sjellë ngadalësim të blerjeve dhe rënie të besimit të tregut. Sipas raportimeve, tarifat e shpallura zyrtarisht në nivelin 15% ndaj eksporteve europiane, në praktikë janë zbatuar mes 30 dhe 50% përmes manovrave të doganave amerikane.

Bessent ka shprehur optimizëm për rezultatin, por ka pranuar se sfida ligjore mbetet e fortë, pasi ankuesit pretendojnë se presidenti ka tejkaluar autoritetet e tij duke vendosur tarifa me “fuqi të jashtëzakonshme”. Në rast humbjeje, Thesari do të përballet me kosto të larta financiare, ndërsa administrata do të shohë dobësim të fuqisë së saj negociuese në skenën ndërkombëtare.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button