Lajme

Edi Rama paralajmëron kabinet të ri qeveritar me emra surprizë, ende pa vendim për Bashkinë e Tiranës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se më 11 shtator do të prezantojë kabinetin e tij të ri qeveritar, katër muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Në një intervistë për emisionin Opinion, Rama theksoi se përbërja e qeverisë do të përmbajë edhe emra surprizë.

“Besoj që jo çdo ministër apo ministre e ka parë veten në këto thashetheme se ka ndonjë që nuk është përfolur fare që të jetë aty,” u shpreh kryeministri. Ai shtoi se kabineti i ri do të reflektojë rezultatet e zgjedhjeve, por edhe vizionin e tij për të ardhmen. “Ne kemi një mandat unik, jemi forca e parë politike me 12 vite qeverisje të pandërprerë. Kjo është një eksperiencë e jashtëzakonshme që duhet përdorur,” tha Rama.

Një tjetër temë që Rama preku ishte situata e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet prej muajsh në burg. Pyetjes së Blendi Fevziut për drejtimin e Bashkisë së kryeqytetit, Rama iu përgjigj: “Nuk e di këtë, do ta shohim në vijim. Unë kam kërkuar një sërë opinionesh për të kuptuar si duhet trajtuar kjo gjë.”

Kabineti i ri dhe vendimi për Bashkinë e Tiranës mbeten tema të ndjekura nga opinioni publik, ndërsa Rama përgatitet të zbulojë ekipin e tij qeveritar pas disa ditësh.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button