Rama: Rritje e turistëve me 6%, por pakënaqësi për menaxhimin e plazheve – Ksamil dhe Dhërmi vitin e ardhshëm do të jenë publike

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se numri i turistëve që kanë vizituar Shqipërinë këtë sezon është rritur me 6% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, ai shprehu pakënaqësi për menaxhimin e plazheve dhe çmimet e larta në disa zona bregdetare.
“Janë plazhet bosh… është 5%-6% në rritje në krahasim me vitin e kaluar, me shifra po flas. Shifrat janë të aeroportit, mund t’i verifikosh. Unë di sa kanë hyrë nga Kosova, sa nga ajri,” tha Rama në emisionin Opinion.
Ai paralajmëroi se duke filluar nga sezoni i ardhshëm, plazhi i Ksamilit dhe Dhërmiut do të menaxhohen nga bashkitë, duke i kthyer në plazhe publike. Sipas tij, ky model do të shtrihet edhe në zona të tjera si Vlora dhe Velipoja.
“Plazhi i Ksamilit nuk është plazhi i Durrësit, nuk kanë për ta marrë më vitin e ardhshëm. Do e marrë e gjithë bashkia. E njëjta gjë edhe për Dhërmiun, Vlorën, Velipojën. Nuk mund të merret peng Ksamili. Plazhet janë të shtetit, jo private, dhe do të menaxhohen nga bashkitë,” u shpreh Rama.
Kryeministri kritikoi edhe bizneset që sipas tij vendosin çmime të larta pa ofruar shërbim cilësor, duke theksuar se një qasje e tillë mund t’i largojë turistët në vitet e ardhshme.