Bota

Rënie e fuqishme e punësimit në industrinë gjermane të automobilave

Industria gjermane e automobilave po përjeton një rënie të ndjeshme të punësimit, me afro 51.500 vende pune të humbura vetëm gjatë një viti, që përbëjnë 6.7% të fuqisë punëtore të sektorit. Këto shifra alarmante, të publikuara nga kompania e kontabilitetit EY mbi bazën e të dhënave zyrtare të statistikave, tregojnë se kriza po thellohet dhe nuk ka shenja përmirësimi në horizont.

Që nga viti 2019, para pandemisë COVID-19, 112.000 vende pune janë eleminuar në këtë industri, gati gjysma e tyre vetëm në 12 muajt e fundit.

Eksportet në SHBA dhe Kinë bien me shpejtësi

Një ndër faktorët kryesorë të krizës është rënia e eksporteve drejt dy tregjeve më të rëndësishme për Gjermaninë – Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Eksportet në SHBA, tregu më i madh i vetëm për Gjermaninë, kanë rënë me 10%, të ndikuara nga tarifat e reja prej 15% të vendosura nga administrata e Presidentit Donald Trump.

Eksportet në Kinë kanë pësuar një rënie edhe më të theksuar, me 14% në tremujorin e fundit. Kina, dikur tregu i dytë më fitimprurës, ka rënë në vendin e gjashtë në listën e partnerëve kryesorë tregtarë.

Sipas ekspertit të EY, Jan Brohriker, “tregu kinez, dikur shumë fitimprurës për prodhuesit e huaj, po humbet atraktivitetin për shkak të rënies së kërkesës dhe konkurrencës në rritje nga prodhuesit vendas të automjeteve elektrike.”

Kompanitë gjermane nisin shkurtime masive

Gjigantët e industrisë si Mercedes-Benz, Volkswagen, Audi, Bosch, Continental, ZF dhe Porsche kanë nisur programe të mëdha për uljen e kostove, të cilat shpesh nisin me shkurtime në Gjermani.
“Dobësimi i tregjeve të eksportit, kapacitetet e tepërta të prodhimit dhe rënia e fitimeve e bëjnë të pashmangshme uljen e vendeve të punës,” thekson EY.

Një e ardhme më e vështirë për të rinjtë

Situata po reflektohet edhe te punësimi i gjeneratave të reja. Sipas EY, industria e automobilave dhe inxhinieria mekanike po punësojnë shumë më pak të rinj se në të kaluarën, duke krijuar një krizë të re në tregun e punës për inxhinierët e sapodiplomuar.
“Shumë të rinj do të detyrohen të ndryshojnë drejtim karriere, ndërsa papunësia në mesin e të diplomuarve pritet të rritet,” paralajmëron Brohriker.

Ekspertët parashikojnë që vala e shkurtimeve të vazhdojë në muajt e ardhshëm, duke e bërë këtë një nga periudhat më të vështira për industrinë gjermane të automobilave në dekadat e fundit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button