Kosovare dënohet në Vjenë për mashtrim me platformë të rreme tregtare

Një 31-vjeçare nga Kosova është dënuar të hënën në Gjykatën Rajonale të Vjenës për mashtrim të rëndë tregtar, pasi kishte mashtruar 24 klientë në Austri me mbi 100 mijë euro përmes një platforme tregtare të rreme, raportojnë mediat austriake.
Sipas aktakuzës, skema e mashtrimit fillonte me telefonata ku viktimat kontaktoheshin nga persona që prezantoheshin si zyrtarë policie, përfaqësues të Microsoft-it apo të një platforme fitimprurëse investimesh. Atyre u premtohej se me vetëm 250 euro mund të fitonin deri në 100 mijë euro brenda pak ditësh përmes investimeve në kriptovaluta.
E pandehura ishte pjesë e një grupi që drejtonte një qendër thirrjesh në Prishtinë me rreth 150 punonjës. Ata kishin krijuar një faqe interneti që dukej ligjore dhe reklamoheshin për të joshur viktimat. Paratë e investitorëve përfundonin në kompani fiktive, ndërsa llogaritë e tyre “digjeshin” sapo ata kërkonin të tërhiqnin fondet.
Në gjykatë, kosovarja pranoi se përfitonte 2 deri në 3 mijë euro në muaj nga ky aktivitet, përfshirë edhe komisione shtesë. Ajo tha se fillimisht nuk kishte dyshuar për skemën, por më pas ndjeu “shumë keq” për veprimet e saj për shkak të presionit nga grupi.
Gjykata austriake e dënoi me 14 muaj burgim, pjesërisht me kusht dhe pjesërisht të pa kushtëzuar. Vendimi tashmë është i formës së prerë.
Ndërkohë, në Gjermani, e njëjta grua dyshohet se ka mashtruar mbi 100 viktima të tjera me dëme që arrijnë në 570 mijë euro, por gjykata e Vjenës shqyrtoi vetëm rastet e ndodhura brenda Austrisë.