Bota

Vuçiq forcon lidhjet me Moskën, Pekinin e Karakasin, ndërsa BE-ja mjaftohet me deklarata

Beogradi zyrtar po thellon lidhjet me regjime të kontestuara si Rusia, Kina, Venezuela, Irani dhe Bjellorusia, pavarësisht kritikave të Bashkimit Evropian, të cilat deri më tani kanë mbetur vetëm në nivel deklaratash.

Më 21 gusht, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se së shpejti do të mbahet një takim i nivelit të lartë mes Beogradit dhe Moskës – i dyti për këtë vit pas vizitës së tij në Rusi në maj. Po atë ditë, Vuçiq zhvilloi edhe një bisedë telefonike me presidentin venezuelian Nikolas Maduro, të cilin e quajti “mik të madh” të Serbisë, ndonëse BE-ja nuk e njeh si udhëheqës legjitim për shkak të parregullsive zgjedhore.

Ndërkohë, në fillim të shtatorit Vuçiq pritet të takohet në Pekin me presidentin kinez Xi Jinping, të cilin e cilëson “vëlla”. Në maj, Vuçiq mori pjesë në paradën ushtarake në Moskë, ku u takua me Vladimir Putinin dhe falënderoi Rusinë për mbështetjen në çështjen e Kosovës.

Serbia, megjithëse ka votuar disa rezoluta të OKB-së që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës, refuzon t’i bashkohet sanksioneve të BE-së ndaj Kremlinit. Po ashtu, ajo ka ruajtur marrëdhënie të ngushta me Bjellorusinë dhe Venezuelën, të cilat Perëndimi i konsideron regjime autokratike.

Ekspertët vlerësojnë se kjo qasje e Beogradit lidhet më shumë me interesa ekonomike dhe shitjen e armëve, sesa me afërsi ideologjike. Megjithatë, BE-ja shpesh ka mbyllur sytë ndaj politikave të Vuçiqit, për shkak të projekteve strategjike si ai i nxjerrjes së litiumit “Jadar” nga kompania “Rio Tinto”.

Sipas një analize të Fondit ISAC, përputhshmëria e Serbisë me deklaratat e politikës së jashtme të BE-së ishte vetëm 59% në vitin 2024 – më e ulëta në rajon. Për momentin, lidhjet e Vuçiqit me Moskën, Pekinin dhe Karakasin nuk i kanë sjellë Serbisë ndonjë trysni serioze nga Brukseli.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button