Shqipëria, i vetmi vend në Europë me problem të nën-ushqyerjes

Sipas të dhënave më të fundit të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) për periudhën 2022–2024, Shqipëria shfaqet si i vetmi vend në Europë ku nën-ushqyerja mbetet problem shqetësues.
Ndryshe nga pjesa dërrmuese e vendeve europiane, ku prevalenca e popullsisë që nuk arrin të sigurojë ushqim të mjaftueshëm është pothuajse zero, Shqipëria paraqitet me një tregues dukshëm më të lartë. Sipas vlerësimeve, rreth 5.4% e popullsisë shqiptare është nën-ushqyer, ndërsa në vendet e Bashkimit Europian ky nivel është nën 2% dhe shpesh i papërfillshëm. Edhe fqinjët e Shqipërisë si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Greqia nuk regjistrojnë shifra të tilla.
FAO thekson se nën-ushqyerja në Shqipëri ka ardhur duke u rritur sidomos pas vitit 2019. Nga niveli 4.3% në periudhën 2019–2020, treguesi u ngjit në 5.4% në vitet 2020–2021, për të arritur kulmin në 6.2% në periudhën 2021–2023. Vetëm së fundmi është shënuar një rënie e lehtë, duke u rikthyer në nivelin 5.4% në vitet 2022–2024.
Megjithatë, edhe pse ka pasur një përmirësim krahasuar me kulmin e dy viteve më parë, Shqipëria vijon të mbetet dukshëm mbi mesataren e rajonit dhe të Europës.
Sipas FAO-s, vendi jo vetëm që nuk ka bërë progres në drejtim të sigurisë ushqimore, por rrezikon të thellojë kontrastin me fqinjët, në një kontinent që prej kohësh konsiderohet shembull i eliminimit të nën-ushqyerjes.