Kosova

Cvetkoviq dënohet me gjobë prej 1 mijë euro pas pranimit të fajësisë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor Stevan Cvetkoviqin për veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit, duke e dënuar me gjashtë muaj burgim, dënim ky që me pëlqimin e tij u zëvendësua me gjobë prej 1 mijë euro.

Aktgjykimi u shpall të enjten nga gjykatësi Kushtrim Shyti, pasi u aprovua marrëveshja për pranimin e fajësisë e arritur mes të akuzuarit dhe Prokurorisë Speciale.

Sipas vendimit të gjykatës, gjoba duhet të paguhet brenda 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit dhe mund të shlyhet edhe me dy këste. Nëse ndonjëri prej kësteve nuk paguhet deri më 5 të muajit, marrëveshja revokohet.

Prokurori special Bekim Kodraliu tha se marrëveshja është negociuar në përputhje me dispozitat ligjore, duke theksuar se i akuzuari e ka pranuar atë në mënyrë vullnetare dhe pa presion. Edhe mbrojtësi i tij, avokati Boban Petkoviq, u shpreh i pajtuar me këtë marrëveshje.

Në seancë, Cvetkoviq deklaroi se e mbështet plotësisht marrëveshjen e arritur me Prokurorinë Speciale.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button