Prishtinë dhe Fushë Kosovë investojnë 53 milionë euro në ujërat e pastra dhe mjedisin e shëndetshëm

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka mbajtur sot ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve për projektin “Climate Appropriate Urban Development: Sewage Prishtina (incl. Sewage I/II)”, që përfshin komunat e Prishtinës dhe Fushë Kosovës. Projekti, me vlerë totale prej 53 milionë eurosh, i mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë, synon të sjellë ujëra dhe lumenj më të pastër, një mjedis më të shëndetshëm dhe përfitime të prekshme për rreth 40 për qind të popullsisë së Kosovës.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e cilësoi projektin si një investim në dinjitetin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve. Ai tha se projekti është më shumë sesa infrastrukturë, duke përfshirë beton dhe tubacione, duke e cilësuar atë një linjë të re në hartën e dinjitetit të përbashkët të qytetit.
“Ky projekt prek jetën e përditshme të mijëra qytetarëve: nga lumenjtë që duam t’i kthejmë në pasuri publike te shëndeti që sot vuan nga pasojat e infrastrukturës së munguar,” tha Rama.
Nënkryetari i Fushë Kosovës, Besnik Osmani, e vlerësoi projektin si vendimtar për zhvillimin e komunës, duke theksuar se ai do të përmirësojë ambientin dhe do të krijojë një mjedis më miqësor për qytetarët.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, theksoi se marrëveshja e përbashkët e komunave, në vlerë prej 11 milionë eurosh, është një hap i madh për ujërat e pastra dhe shëndetin publik. Ai theksoi se granti prej 42 milionë eurosh nga qeveria gjermane do të përdoret për ndërtimin e impianteve moderne të trajtimit të ujërave të zeza dhe rehabilitimin e kolektorëve kryesorë në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq.
Kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit, Arsim Fetahu, bëri të ditur se projekti do të përfshijë gjithashtu komunat e Graçanicës, Obiliqit dhe Podujevës, duke garantuar përfitime për banorët dhe mundësi për derdhjen e ujit të pastruar në lumenj.
Projekti planifikohet të realizohet gjatë 36 muajve të ardhshëm, me një fokus të veçantë në përmirësimin e cilësisë së ujërave, mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e cilësisë së jetës për qytetarët e këtyre komunave.