Rajoni

Lufta me zjarrin në “Jasen”, forca të shumta në terren për ta vënë nën kontroll

Zjarri i madh që ka përfshirë ditëve të fundit rezervatin natyror “Jasen” vazhdon të jetë aktiv edhe sot. Gjatë natës, flakët iu afruan rrugës pyjore që lidh portën hyrëse të rezervatit me restorantin buzë liqenit Kozjak, por falë terrenit të pastruar më parë nga vegjetacioni, nuk u lejua përhapja e tij.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, tha se në aksionin e mbrëmshëm morën pjesë Njësia për vendosje të shpejtë me pincgauer, punonjës të rezervatit “Jasen”, zjarrfikës nga Shkupi e Makedonski Brod, si dhe ekipe të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Ata bashkërisht arritën të ndalonin kalimin e zjarrit në anën tjetër të rrugës.

“Këtë mëngjes filloi një operacion specifik dhe i rrezikshëm për krijimin e një rripi të ri kundërzjarrit drejt liqenit, me synim shuarjen e plotë të flakëve. Pavarësisht tymit të dendur, një helikopter policie dhe një helikopter ushtarak janë angazhuar që herët në mëngjes, ndërsa pritet të ndihmojë edhe një aerotraktor sapo të përmirësohet dukshmëria,” u shpreh Angellov.

Në terren ndodhen edhe forca speciale të ushtrisë dhe policisë nga njësitë elitare “Ujqit” dhe “Tigrat”, kryesisht alpinistë, të cilët po punojnë në kushte të vështira për shuarjen e flakëve.

Ndërkohë, autoritetet konfirmojnë se disa zjarre të tjera mbeten aktive, por janë të parrezikshme, pasi përfshijnë kryesisht bar dhe shkurre.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button