Bota

Zelensky dhe Putin mund të takohen këtë muaj, Gjeneva shihet si opsioni kryesor

Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian ka bërë të ditur se një takim mes presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, mund të zhvillohet para fundit të këtij muaji.

Sipas burimeve diplomatike, disa qytete janë në diskutim si vende të mundshme të takimit, përfshirë Gjenevën, Vjenën, Romën, Budapestin dhe Dohën. Nga këto, Gjeneva e Zvicrës konsiderohet si opsioni më i favorshëm. Roma dhe Vatikani nuk gëzojnë mbështetje nga Rusia, ndërsa Budapesti nuk shihet si i përshtatshëm nga pala ukrainase.

Zyrtarët evropianë theksojnë se përpara çdo takimi duhet të përcaktohen garancitë e sigurisë për Ukrainën. Në këtë kuadër, po punohet për një traktat të ngjashëm me atë të NATO-s, që do të detyronte aleatët e Ukrainës të ndërhynin në rast të një sulmi të ri rus. Dokumenti mund të përfundojë deri javën e ardhshme.

Ndërkohë, burime nga Sky News raportojnë se, ashtu si SHBA-ja, edhe Italia është kundër dërgimit të trupave tokësore në Ukrainë.

Diplomatët e BE-së shprehen optimistë për negociatat në vazhdim, duke i cilësuar ato si mundësinë më të mirë deri më tani për t’i dhënë fund luftës. Në rast arritjeje marrëveshjeje, aleatët pritet të mblidhen në Uashington në fillim të shtatorit për ta festuar atë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button