Lajme

Berisha akuzon qeverinë dhe INSTAT për falsifikim të të dhënave të eksporteve

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën e tij të përditshme me gazetarët këtë të martë, akuzoi qeverinë Rama dhe INSTAT-in për atë që e cilësoi si një “mashtrim të qëllimshëm dhe kriminal” lidhur me të dhënat e eksporteve.

Berisha tha se ekzekutivi po paraqet një realitet të rremë mbi gjendjen ekonomike të vendit, duke përfshirë në shifrat e eksporteve mallrat që kalojnë tranzit nga porti i Durrësit drejt Kosovës, të cilat në fakt janë importe të këtij shteti.

“Askush nuk mund ta besojë këtë mashtrim të paskrupullt. Ata quajnë eksporte mallrat transit që nga Durrësi kalojnë në Kosovë, që janë importe të mirëfillta të Kosovës”, deklaroi ai.

Sipas ish-kryeministrit, ky veprim ka për qëllim të maskojë krizën e thellë të sektorit eksportues në Shqipëri, i goditur, siç tha ai, nga “fluksi i narkoeuros”.

“Eksportet kanë rënë me 32% nga viti në vit. Vetëm këtë vit, ka një rënie prej 7%. Për ta fshehur këtë dramë, Edi Rama dhe INSTAT po shpallin si eksporte atë që janë në fakt importet e Kosovës”, u shpreh Berisha.

Ai kujtoi se në të kaluarën vetëm industria e këpucëve punësonte deri në 100 mijë persona, ndërsa sot sipas tij, kjo dhe sektorë të tjerë janë rrënuar nga politikat e qeverisë.

“Ky fluks ka zhvlerësuar euron me 35% që nga 2014-a. Ndërmarrjet eksportuese janë goditur në mënyrë fatale. Shumë prej tyre nuk mund të operojnë më me një fitim 30 apo 35 përqind”, tha Berisha, duke e cilësuar përfshirjen e mallrave të Kosovës në statistikat e eksporteve shqiptare si “akt monstruoz”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button