Rritja e çmimit të energjisë kërcënon prodhuesit vendor dhe qytetarët

Ekspertët e ekonomisë dhe përfaqësues të bizneseve paralajmërojnë se hapja e tregut energjetik dhe rritja e çmimeve të energjisë do të godasin prodhuesit vendor dhe në fund konsumatorët.
Pronari i një fabrike për prodhimin e vajit, Berat Mustafa, tha se çmimi i produktit të tij do të rritet pashmangshëm, duke favorizuar produktet e importit që janë të bollshme në tregjet e Kosovës. “Minimumi çmimi i vajit mund të rritet për 30 cent për litër, dhe qytetarët që duan të blejnë produkte vendore nuk do të kenë mundësi për shkak të krizës ekonomike,” tha Mustafa.
Aktualisht një litër vaj kushton 1.60 euro, por pas vendimit të ZRRE-së për tregun e hapur energjetik, çmimi i vajit vendor mund të arrijë 2 euro. Mustafa shtoi se energjia elektrike është kosto operative dhe brenda dy muajve është shtrenjtuar 3 herë, gjë që e bën të pamundur konkurrencën me fabrikat e rajonit.
Ai kërkoi reagim nga institucionet qeveritare për të mbështetur prodhuesit vendorë dhe për të parandaluar rritjen e mëtejshme të çmimeve për qytetarët.