Shtatë liderë europianë në Shtëpinë e Bardhë për bisedime me Zelenskyn dhe Trumpin mbi Ukrainën

Shtatë liderë europianë pritet të marrin pjesë sot në Shtëpinë e Bardhë në një takim me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ku në qendër të diskutimeve do të jetë e ardhmja e sigurisë së Ukrainës dhe presioni ndaj Rusisë.
Takimi pason mbledhjen e djeshme të “Koalicionit të Vullnetit”, ku udhëheqësit europianë theksuan domosdoshmërinë për të ndalur dhunën në Ukrainë, për të ruajtur sanksionet ndaj Rusisë dhe për të mbrojtur parimin që vendimet për territorin duhet t’i përkasin vetëm Ukrainës.
Sipas CNN, liderët europianë do të kërkojnë nga presidenti amerikan Donald Trump një qëndrim të fortë dhe të unifikuar ndaj presidentit rus Vladimir Putin.
Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi se Evropa duhet të mbetet e ashpër për të shmangur konflikte të reja dhe shprehu gatishmërinë që BE-ja të marrë rol më të madh në garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se Ukraina duhet të shndërrohet në një “iriq prej çeliku, i patretshëm për pushtuesit”, duke theksuar se nuk duhet të ketë kufizime për forcat e armatosura ukrainase apo ndihmën që ato marrin nga partnerët ndërkombëtarë.
Ndërkohë, kryeministri britanik Keir Starmer garantoi se mbështetja e Londrës për Kievin do të vazhdojë “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”. Ai dhe Macron përshëndetën sinjalet e SHBA-së për të ofruar garanci sigurie për Ukrainën në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme paqeje.
Takimi i sotëm në Shtëpinë e Bardhë shihet si një provë vendimtare për të përcaktuar drejtimin e ardhshëm të politikës perëndimore ndaj agresionit rus.