Prishtina me tri herë më pak gjelbërim se standardi i OBSH-së

Ndërtesat e shumta dhe të larta janë ato që e identifikojnë më së shumti kryeqytetin, ndërsa hapësirat e gjelbëruara shihen si të pakta dhe shpesh mungojnë krejtësisht.
Sipas një hulumtimi të UN-Habitat, të ripublikuar javën e kaluar nga Instituti Atlas, Prishtina ka tre herë më pak gjelbërim sesa standardi i përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
“Raportet tregojnë se pas dhënies së lejeve të ndërtimit, për shkak të mungesës së inspektorëve, nuk bëhen kontrolle të mjaftueshme. Si pasojë, ndërtuesit nuk respektojnë as standardet minimale për hapësirat e gjelbra. Shembulli më tipik është Lakrishtja, e cila është betonizuar e tëra”, tha për media Agron Demi nga Instituti Atlas.
Edhe arkitekti Driton Tafallari thekson se Prishtina gjendet në gjendje alarmante për nga mungesa e zonave të gjelbra.
“Kur them zona të gjelbëruara, kam fjalën për parqe, zona rekreative, sportive e kënde për fëmijë. Si shembull, lagjja Lakrishte nuk ka asnjë hapësirë të tillë”, tha ai.
Nga Komuna e Prishtinës pranojnë problemin, por thonë se janë duke punuar në rritjen e gjelbërimit.
“Që nga fillimi i mandatit kemi nisur lirimin e hapësirave të zëna dhe krijimin e parqeve të reja në zona të ndryshme. Vitin e kaluar kemi mbjellë dhjetë hektarë me metoda inovative, përmes hedhjes së topthave me fara nga droni. Këtë vit planifikojmë të dyfishojmë sipërfaqen”, tha Donika Çeta, drejtoreshë e Hapësirave Publike dhe Parqeve.
Prishtina vazhdon të përballet me një disbalancë të madhe mes betonizimit dhe mungesës së gjelbërimit, duke e bërë rritjen e hapësirave të gjelbra një nga sfidat kryesore të kryeqytetit.