Dhoma Ekonomike e Grave – G7: Ndërprerja masive e energjisë po rrezikon bizneset e grave dhe stabilitetin ekonomik

Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 ka shprehur shqetësim të thellë për situatën e krijuar pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) dhe veprimeve të ndërmarra nga KEDS për ndërprerjen masive të furnizimit me energji elektrike ndaj bizneseve.
Sipas G7, ky proces i zbatuar menjëherë dhe shpesh në prani të forcave policore, ka krijuar klimë pasigurie për sektorin privat dhe ka dërguar sinjale negative tek investitorët vendorë e ndërkombëtarë.
“Veçanërisht të prekura nga kjo situatë janë bizneset në pronësi të grave, të cilat përballen me humbje të menjëhershme të të ardhurave, dëmtim të zinxhirit të shërbimeve e prodhimit, rrezikim të vendeve të punës dhe mbyllje të mundshme të aktiviteteve”, thuhet në reagim.
Organizata ka bërë të ditur se ka pranuar ankesa edhe nga biznese me kontrata të vlefshme, të cilat megjithatë janë përballur me shkyçje. Po ashtu, sipas tyre, disa subjekte që nuk e plotësojnë kriterin ligjor për të kaluar në tregun e lirë të energjisë janë përfshirë në këtë proces.
“Kjo tregon qartë se tranzicioni drejt tregut të lirë është zbatuar në mënyrë të papërgatitur dhe pa analizë të plotë të implikimeve për ekonominë”, thekson G7.
Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 kërkon me urgjencë:
- Pezullimin e menjëhershëm të ndërprerjes së furnizimit me energji për bizneset.
- Hapjen e një dialogu të strukturuar me odat ekonomike për një plan tranzicioni të arsyeshëm.
- Krijimin e mekanizmave mbrojtës dhe lehtësues për bizneset e vogla e të mesme, veçanërisht ato në pronësi të grave.
Në fund, G7 rithekson se gratë sipërmarrëse kanë rol thelbësor në zhvillimin ekonomik e social të vendit dhe paralajmëron se vendimet e ndërmarra pa konsultim e tranzicion të mjaftueshëm rrezikojnë jo vetëm ekzistencën e bizneseve, por edhe stabilitetin ekonomik e shoqëror të Kosovës.