KQZ certifikon 39 subjekte të reja, por refuzon dy iniciativa qytetare

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur sot për certifikimin e grupit të tretë të subjekteve politike për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Nga gjithsej 41 subjekte të shqyrtuara, u certifikuan 39 prej tyre – 25 iniciativa qytetare dhe 14 kandidatë të pavarur.
Sipas të dhënave të KQZ-së, këto subjekte do të përfaqësohen nga gjithsej 380 kandidatë, prej të cilëve 25 garojnë për kryetarë komunash, ndërsa 355 për anëtarë të Kuvendeve Komunale.
Ndërkohë, dy subjekte nuk morën dritën jeshile për certifikim. Iniciativa qytetare “Lidhja e Prishtinës” u refuzua pas debatit për ngjashmërinë e emërtimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Anëtari i KQZ-së nga LDK, Sami Hamiti, theksoi se ky emërtim bie ndesh me parimet e certifikimit, pasi LDK e kishte përdorur më herët termin “Lidhja e Prishtinës” në fushatën e vitit 2017.
Megjithëse Zyra për regjistrim, certifikim dhe kontroll financiar të partive politike në KQZ, përmes drejtorit Besnik Buzhala, vlerësoi se nuk kishte bazë ligjore për refuzim, anëtarët e KQZ-së vendosën ndryshe. Me pesë vota për, një kundër dhe disa abstenime, iniciativa nuk u certifikua.
Po ashtu, nga lista u tërhoq edhe iniciativa qytetare “Lëvizja për Bashkimin e Shqipëtarëve”, për shkak të një gabimi drejtshkrimor në emërtim. Në vend të fjalës “Shqiptarëve”, ishte shkruar “Shqipëtarëve”.
Anëtari i KQZ-së nga AAK, Muharrem Nitaj, e kundërshtoi ashpër certifikimin e kësaj iniciative, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për një çështje formale, por për respektimin e standardit gjuhësor dhe identitetit kombëtar. Edhe anëtari i KQZ-së nga LVV, Alban Krasniqi, paralajmëroi se nuk do ta mbështesë certifikimin nëse gabimi nuk korrigjohet.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor 2025, ku tashmë janë certifikuar një numër i madh i subjekteve politike që do të garojnë në nivel komunal.