Kosova

KEDS nis shkyçjet masive të bizneseve, DTHK paralajmëron pasoja të rënda për ekonominë

KEDS ka njoftuar sot nisjen e shkyçjeve masive të bizneseve që nuk kanë kaluar në tregun e lirë, sipas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Nga KEDS u bë e ditur se janë shkyçur rreth 450 biznese, ndërsa janë identifikuar mbi 1,400 njehsorë elektrikë.

Ky vendim ka nxitur reagimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DTHK), e cila paralajmëron se liberalizimi i dhunshëm i energjisë mund të lërë pa punë mbi 22,000 punëtorë dhe të godasë rëndë ekonominë e vendit.

“Ky veprim arbitrar dhe i papërgjegjshëm po rrit çmimet e konsumit për dy milionë qytetarë dhe po rrezikon të largojë nga puna të paktën 22 mijë punëtorë, duke goditur rëndë familjet e tyre, ekonominë e brendshme dhe stabilitetin social,” thuhet në komunikatën e DTHK-së.

Dhoma e Tregtisë thekson se shumë biznese nuk kanë pranuar kushtet e ofruara nga kompanitë e licencuara, ndërkohë që të tjera janë në pritje të vendimeve të gjykatave dhe të institucioneve të reja. Sipas DTHK-së, pasojat e këtij vendimi mund të jenë dramatike, duke përfshirë mbylljen e bizneseve, humbjen e prodhimit vendor, rritjen e importit dhe përkeqësimin e gjendjes së qytetarëve.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkon nga institucionet e vendit ndërhyrje urgjente për të ndalur këtë proces, i cili sipas tyre rrezikon të shkatërrojë themelet e ekonomisë së Kosovës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button