Votuesit jashtë Kosovës largohen nga listat vendore, mbeten vetëm në listën e votimit jashtë vendit

Çdo shtetas i Kosovës që regjistrohet për të votuar me postë nga jashtë vendit, nuk do të mund të votojë fizikisht në vendvotimet brenda Kosovës. Emri i tyre do të largohet nga listat vendore dhe do të mbetet vetëm në listën e votuesve jashtë Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, i cili theksoi se ky është një detyrim ligjor.
“Është detyrim ligjor për KQZ-në, që secili votues që regjistrohet për të votuar nga jashtë Kosovës, emrin e tij ta largojë nga lista e votuesve e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve në Kosovë. Pra, një shtetasi i Kosovës që regjistrohet për të votuar jashtë Kosovës, do ta gjejë emrin e tij vetëm në listën e votuesve jashtë Kosovës. Këtë informacion, KQZ ua transmeton individualisht të gjithë atyre shtetasve që aplikojnë dhe arrijnë të regjistrohen si votues jashtë Kosovës”, tha Elezi.
Ai sqaroi se në rastet kur ndonjë qytetar, pasi është regjistruar si votues jashtë vendit, kërkon që të rikthehet në listën brenda Kosovës, kjo është e mundur. Votuesi duhet të parashtrojë kërkesë në KQZ, respektivisht te shërbimi votues, dhe ky rikthim mund të bëhet deri 24 orë para përfundimit të afatit për kundërshtimin e listës së votuesve.
KQZ ka hapur afatin për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës më 23 korrik, i cili do të zgjasë 38 ditë, deri më 29 gusht 2025. Periudha e votimit për diasporën është përcaktuar nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025, vetëm për ata që regjistrohen si votues jashtë vendit.
Ndryshe nga zgjedhjet e përgjithshme, ku qytetarët jashtë Kosovës kanë pasur mundësi të votojnë edhe në përfaqësitë diplomatike, në zgjedhjet lokale të 12 tetorit kjo mundësi nuk do të ekzistojë. Votimi jashtë vendit do të bëhet vetëm përmes postës.