
KEDS ka njoftuar sot se ka filluar procesin e shkyçjes së bizneseve që nuk kanë kaluar në tregun e hapur të energjisë, sipas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) të datës 13 gusht 2025.
Në njoftim thuhet se janë shkyçur rreth 450 biznese, ndërsa janë identifikuar mbi 1,400 njehsorë elektrikë që u përkasin këtyre kompanive. Prej tyre, mbi 600 janë njehsorë smart që do të shkyçen nga distanca, ndërsa pjesa tjetër do të shkyçen fizikisht nga ekipet e KEDS-it në terren.
“KEDS-i ligjërisht nuk mund të lejojë vazhdimin e furnizimit me energji elektrike për ato kompani që nuk kanë arritur akoma marrëveshje me ndonjërin prej furnizuesve të licencuar nga ZRRE-ja. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme, këto biznese nuk kanë përmbushur obligimin për kalim në tregun e lirë të energjisë”, thuhet në komunikatën e kompanisë.
KEDS apelon tek bizneset e mbetura që sa më shpejt të lidhin kontratë me një furnizues të licencuar nga ZRRE, në mënyrë që të sigurojnë vazhdimësinë e furnizimit me energji elektrike.